NJË DITË NË SPAÇ


Në këtë kategori gjeni të pasqyruar detaje dhe informacione të një ditë të zakonshme në burgun e Spaçit. Kohën e lirë të limituar të dënuarit e kalonin në dhomat e fjetjes duke biseduar me njëri-tjetrin për tema të zakonshme, torturat që ishin pothuajse të përditshme, për problemet, por edhe për poezitë apo krijimet e tyre që kishin filluar t’i shkruanin edhe në mure. Një prej ish të burgosurve politikë kujton: “dashurinë për jetën dhe për njerëzit më shumë se kudo e kam jetuar në ato kushte njerezore, që në dukje s’kishin asnjë arsye për t’u jetuar.”

Orari i aktivitetit të tyre ditor pasqyrohet në tabelën e gjetur pranë arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku bien në sy orari i caktuar për leximin ideologjik të literaturës zyrtare mbi PPSH-në.

Sipas praktikës së regjimit, kur dikush burgosej politikisht, familjarët internoheshin në kampet e internimit dhe mundësia për t’u takuar zvogëlohej, sidomos në rastin e Spaçit, edhe për shkak të pozitës gjeografike ku ndodhej burgu. Edhe nëse pas sakrificave takimi realizohej, ai duhet të zgjaste jo më shumë se 10-15 minuta.

Në dokumentacionin e publikuar nga ISP gjenden raporte të rregullta e të detajuara të zyrtarëve të burgut – kamp mbi gjendjen moralo – politike të të dënuarve, për të pasur në kontroll të plotë çdo detaj të jetës së tyre.