MALLKIMI I MINIERES – BURG


Kampi ishte në varësi nga Ministria e Punëve të Brendshme, por miniera ishte edhe në varësi nga ministria e këtij sektori. Gjithsesi, përgjegjësia kryesore e organizimit, drejtimit, monitorimit dhe trajtimit ne burgun – kamp ishte e MPB. Norma ishte e detyruar pavarësisht gjendjes shëndetësore, dhe rritej, në varësi nga orientimi politik për nivelin e dënimit të të burgosurve politikë dhe nevojave të regjimit për minerale.

Sistemi i organizimit ishte i tillë, që çdo i dënuar të ishte 100% të kohës nën vëzhgimin e komandës speciale të repartit, dhe paralelisht edhe nga ndërmarrja e minierës. Në nëntokën e Spaçit të burgosurit punuan në kushte anormale për vite të tëra për nxjerrjen e dy mineraleve kryesore te saj, – bakri dhe piriti.

Trajtimi ishte brutal në cdo aspekt. Më shumë se 50 burra të burgosur duhej të flinin në një sipërfaqe minimale prej 40 m2. Të burgosurit nuk mund të shkëmbenin vizita, nuk mund të komunikonin midis dhomave, ishin të detyruar të merrnin pjesë në orët ideologjike mbi PPSH dhe privoheshin nga të drejta bazë të komunikimit me familjet e tyre jashtë kampit.